Shtrenjtimi i kostove të jetesës në Shqipëri pasqyrohet në statistikat e INSTAT: inflacioni në maj arriti 3%, niveli më i lartë në dy vitet e fundit, duke u rritur nga 2.7% në prill. Një vit më parë inflacioni ishte 2.2%. Banka e Shqipërisë e ka vendosur objektiv normën 3% si tregues të stabilitetit të çmimeve. Faktorë kryesorë të rritjes së çmimeve përmenden tensionet gjeopolitike dhe efekti i sezonit turistik, që është në kulm.
Sipas INSTAT, ndikimin më të fortë në inflacion e dhanë qiratë dhe kostot e strehimit, me kontribut 0.84% në inflacionin total. Rritja e kërkesës për apartamente me qira afatshkurtër nga turistët ka shtyrë çmimet lart edhe për familjet që jetojnë me qira. Pas qirave, ushqimet kontribuuan me 0.76% dhe transporti me 0.51%, ky i fundit kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në bazë të lëvizjeve vjetore, grupi i transportit shënoi rritjen më të madhe të çmimeve me 7.8%. Sigurimet dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me 4.9%, ndërsa qiratë, energjia dhe karburantet u rritën me 4.2%. Restorantet dhe akomodimi vazhduan trendin rritës, duke reflektuar presionet e sezonit turistik.
Banka e Shqipërisë vlerëson se një rritje e inflacionit pranë objektivit të saj nuk është moment për ndryshim të politikës monetare, por njofton se një rritje e mëtejshme e çmimeve mund të çojë në tejkalimin e objektivit dhe, për pasojë, në ndryshimin e normave të interesit. Për qytetarët, rritja e inflacionit përkthehet në shpenzime më të larta për të njëjtat produkte dhe shërbime.
Sfidë e hapur mbetet të përcaktohet nëse kjo rritje do të jetë e përkohshme apo do të vazhdojë gjatë muajve të verës, kur pritet fluks i shtuar i turistëve dhe mund të intensifikojë presionin mbi çmimet.

