Një video nga takimi zyrtar në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Donald Trump dhe kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale. Ajo që ishte planifikuar si një moment propagande dhe buzëqeshjesh para trofeut të Kupës së Botës 2026 u shndërrua në një skenë ku Trump ndërhyri gjatë fjalës së Infantinos, duke shkaktuar të qeshura por edhe një moment të dukshëm tensioni.
Gjatë deklaratës përpara mediave, Infantino u mundua të ngrinte imazhin e FIFA-s me përkufizimin: “Përkufizimi zyrtar i FIFA-s është… FIFA është ofruesi zyrtar i lumturisë për njerëzimin që prej 120 vitesh. Pra, ne ofrojmë gëzim dhe lumturi…”. Ai nuk mbaroi fjalinë, pasi Trump ndërhyri menjëherë me koment: “…deri sa skuadra e tij humbet, sigurisht!”.
Megjithë të qeshurat nga të dyja palët, videoja është bërë virale në platforma si X dhe TikTok, me miliona shikime. Përdoruesit dhe analistët sportivë po e lidhin batutën e Trump me akuzat e vazhdueshme për korrupsion dhe anshmëri brenda FIFA-s. Komentet në rrjet shpesh e interpretojnë ndërhyrjen si një “përplasje në fytyrë” për favorizimet në futboll.
Një pjesë e komentuesve e lidh incidentin me teoritë dhe thashethemet se Infantino dhe FIFA kanë pasur simpati ose favorizim ndaj kombëtareve të mëdha, veçanërisht ndaj Argjentinës së Lionel Messit. Ndjekësit e përshkruajnë ndërhyrjen e Trump si një mënyrë tipike për të sfiduar publikisht autoritetin, me qëllim të nxjerrjes në pah se pas deklaratave për “lumturi” mund të jenë interesa të mëdha dhe polemika të vazhdueshme.
Trofeu i Kupës së Botës 2026 qëndronte në podium ndërmjet tyre, por vëmendja u zhvendos te përplasja e shkurtër verbale, e cila, sipas vëzhgimeve në rrjet, minoi përpjekjen e Infantinos për të realizuar një seancë PR-je pa polemika.

