Disa federata anëtare të UEFA-s po shqyrtojnë mundësinë e paraqitjes së një kandidati që do të sfidojë Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s, një zhvillim që mund të rrezikojë vazhdimin e mandatit të tij. Sipas raportimit të talkSPORT, Infantino konfirmoi në Kongresin e FIFA-s në prill se do të kandidojë për një mandat të tretë, duke shpresuar të rizgjidhet pa kundërshtar, por brenda UEFA-s po rritet mbështetja për një alternativë.
Gjatë drejtimit të tij, Infantino është përballur me kritika të shumta lidhur me disa vendime kryesore. Ai udhëhoqi zgjerimin e Kupës së Botës nga 32 në 48 skuadra dhe propozoi që edicioni i vitit 2030 të zhvillohet me 64 kombëtare. Një tjetër vendim i debatueshëm ka qenë zgjerimi i ndjeshëm i Kupës së Botës për Klube, që tashmë konsiderohet si një kompeticion rival i Ligës së Kampionëve.
Kontestim e gjerë shkaktoi edhe vendimi i FIFA-s për të anuluar pezullimin me një ndeshje të Folarin Balogun, një masë e paprecedentë që, sipas raportimeve, erdhi pas kontakteve me Presidentin amerikan Donald Trump. UEFA reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke deklaruar se FIFA kishte kaluar “një vijë të kuqe” dhe e përshkroi vendimin si “të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, me pasoja për integritetin e lojës dhe besueshmërinë e garës.
Aleksander Čeferin, presidenti i UEFA-s, konsiderohet nga shumë si një nga figurat më të kualifikuara për të marrë drejtimin e FIFA-s. Megjithatë, ai pritet të vazhdojë mandatin në krye të UEFA-s dhe nuk ka shfaqur interes për të garuar kundër Infantinos, pavarësisht mosmarrëveshjeve të shpeshta mes tyre. Ndërkohë, disa federata të UEFA-s, përfshirë Belgjikën dhe Poloninë, do të mbështesnin kandidaturën e presidentit të Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, por sipas raportimeve kreu i ECA-s nuk ka ambicie të kandidojë për postin e presidentit të FIFA-s. Top Channel

