Federata Uellsiane e Futbollit (FAW) është bërë organizata e parë kombëtare që tërheq zyrtarisht mbështetjen për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Sipas Sky News, FAW i ka dërguar një letër zyrtare FIFA-s ku shpreh humbjen e besimit ndaj Infantinos pas polemikave rreth planit për të përfshirë investitorë privatë në të drejtat tregtare të Kupës së Botës. Në deklaratën e federatës thuhet se “dështimet në qeverisje, procese, lidership, vlera, menaxhimin e palëve të interesuara, komunikim dhe gjykim të shëndoshë” kanë bërë që Infantino të humbasë besimin e FAW për të vazhduar në krye të futbollit botëror. FAW shton se “pamundësia për të vendosur interesin e futbollit mbi çdo gjë tjetër është një dështim që nuk mund ta pranojmë”.
Vendimi vjen pas tërheqjes së Infantinos nga plani për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë të të drejtave të Kupës së Botës, tërheqje kjo e detyruar javën e kaluar për shkak të kundërshtimit të fortë nga federatat evropiane. Të 55 federatat anëtare të UEFA-s ranë dakord të bojkotonin aktivitetet e FIFA-s në shenjë proteste, duke detyruar presidentin të tërhiqej nga iniciativa. Në këtë valë, edhe Federata Angleze e Futbollit ka mbështetur kërkesën e UEFA-s për një votë mosbesimi ndaj drejtimit aktual të FIFA-s dhe ka bërë thirrje për një rishikim të plotë të mënyrës së qeverisjes së organizatës.
Sipas mediave britanike, disa kandidatë nga UEFA dhe konfederata të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të sfiduar Infantinon në zgjedhjet e ardhshme nëse ai nuk vendos të largohet më herët. Infantino pritej të kandidonte për një mandat të katërt në krye të FIFA-s, por zhvillimet e fundit kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij. Pritet që edhe federata të tjera të bashkohen Uellsit në tërheqjen e mbështetjes, ndërsa presioni dhe kërkesat për ndryshime në qeverisje dhe transparencë rriten.

