Policia e Vlorës njofton ndërmarrjen e veprimeve lidhur me incidentet gjatë protestës së zhvilluar më 30 maj në Zvërnec/Portonovë kundër një projekti të planifikuar në zonë. Si pjesë e hetimeve janë arrestuar shtetasit A. G., 35 vjeç, dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, të cilët dyshohen se tërhoqën me forcë një pjesëmarrës në tubim. Më parë ishte arrestuar edhe G. B., i akuzuar se e goditi fizikisht protestuesin.
Policia bën të ditur se vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë para përgjegjësisë penale të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 30.05.2026 në Portonovë, Zvërnec. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan A. G. dhe G. V., pasi Gjykata e Vlorës u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Sipas njoftimeve, të dy të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me G. B. kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet pjesëmarrësin E. S., duke i shkaktuar dëmtime trupore. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se A. G. dhe G. V. nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga ndonjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale lidhur me këto ngjarje janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme. Njoftimi i Policisë thekson se hetimet vijojnë për dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive penale lidhur me incidentet gjatë tubimit. Lajmi është përgatitur nga Top Channel.

