Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj i ka dërguar më 20 prill 2026 një letër Fatmir Xhafajt, Ulsi Manjës dhe ministrit të drejtësisë Toni Gogu, në të cilën paraqet si shqetësim disa shkelje që, sipas tij, është bërë SPAK në procedimin penal nr. 13/2020 në GJKKO. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se Beqaj thotë se nuk është njoftuar për akuzën e re dhe se kjo e fundit nuk është formuluar qartë.
Beqaj shpjegon se prej më shumë se dy vitesh po përballet me hetim dhe se më 17 mars 2024 i ishte komunikuar me shkrim akuza për “shpërdorim detyre”. Në seancën paraprake të datës 23 dhjetor 2024, gjyqtarja e seancës paraprake vlerësoi se cilësimi juridik nuk ishte i saktë dhe propozoi ndryshim në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, duke sjellë elemente të reja në arsyetim. Beqaj thekson se prokurorët në sallë deklaruan se, megjithëse ata e konsideronin të drejtë akuzën fillestare, pranuan sugjerimin e gjykatës për të shmangur një ngërç procedural, çka sipas tij tregon se akuza e re nuk ishte produkt i bindjes së prokurorisë, por i mekanizmit të nenit 332/d, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale.
Ai argumenton se kjo situatë prek ndarjen e kompetencave midis gjykatës dhe prokurorisë. Beqaj citon nenin 34 të KPrP dhe nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave i pandehuri duhet të njoftohet qartë dhe hollësisht për natyrën dhe shkakun e akuzës. Në rastin e tij, ai thotë se akuza e re: nuk i është njoftuar me akt të ri nga prokurori; nuk është formuluar qartë nga prokurori në seancë; dhe është referuar në mënyra të ndryshme (si vendim gjyqtare, procesverbal ose audioregjistrim).
Beqaj paralajmëron se nëse pranohet që përmbajtja reale e akuzës të formulohet nga arsyetimi i gjykatës, ndërsa prokurori heq dorë nga bindja e tij për arsye procedurale, cenohet e drejta e mbrojtjes dhe parimi i ndarjes së roleve në procesin penal. Ai propozon kontroll kushtetues ose ndryshim ligjor të nenit 332/d të KPrP dhe fton marrësit e letrës të ndërmarrin nisma konkrete, duke ofruar dokumentacion shtesë dhe kontakt përmbrojtësin e tij ligjor. Në fund, letra mban nënshkrimin Ilir Beqaj, ish-deputet, IEVP Durrës, 20.04.2026.















