Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të IFAB të mbajtur në Uells në maj u arrit marrëveshja për një rregull të ri që do të ndëshkojë futbollistët që mbulojnë gojën në fushë gjatë një diskutimi me rivalët. Të martën IFAB miratoi në mënyrë unanime këtë nismë.
Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka qenë nismëtari kryesor i këtij rregulli, me qëllim të parandalimit të rasteve si ai i Prestianni, i cili së fundmi u dënua me 6 ndeshje pezullim për fyerje homofobike ndaj Vinicius. FIFA synon që të shmangë situata në të cilat mbulimi i gojës e bën të pamundur vërtetimin nëse një futbollist i është drejtuar kundërshtarit me fyerje raciste; ideja e propozuar është që futbollisti që mbulon gojën në momentin që i drejtohet kundërshtarit të dënohet me karton të kuq.
Vendimi për rregullin u mor pas studimeve të FIFA me disa Konfederata mbi aplikimin e normatives së re gjatë Këshillit Botëror të mbajtur në Vancouver të Kanadasë. Një nga pikat e axhendës fliste për një mbledhje të jashtëzakonshme të IFAB, organit që përcakton rregullat e lojës, dhe kjo mbledhje i dha dritën jeshile nismës.
Përveç këtij ndryshimi, IFAB miratoi edhe një tjetër amendament të rregullores lidhur me braktisjen e fushës nga ana e futbollistëve në shenjë proteste ndaj vendimit të arbitrit. Sipas tekstin e miratuar: “Do të dënohet me karton të kuq çdo futbollist që braktis fushën e lojës në shenjë proteste ndaj një vendimi të arbitrit. Kjo normë do të aplikohet edhe për çdo anëtar të stafit teknik që nxit futbollistët të braktisin fushën e lojës.”
Teksti nënvizon se masa e kartonit të kuq do të shtrihet edhe në rastet kur anëtarë të stafit teknik nxisin futbollistët të largohen nga fusha për të protestuar vendimet e arbitrit. Në zhvillimin e procesit u theksua nevoja për harmonizim të zbatimit të rregullave midis organit rregullator dhe Konfederatave.















