Greqia është goditur nga një valë e re e zgjatur të nxehti, me temperatura që kanë kaluar 40°C dhe në disa zona kanë prekur edhe 41–42°C. Ditën e shtunë temperatura më e lartë u regjistrua në Trikala, me 40.7°C, ndërsa mbi 40°C u shënuan edhe në zona të tjera të Thesalisë dhe Greqisë Qendrore. Masat e ajrit që kanë mbërritur mbi vendin janë 6–8°C më të ngrohta se norma për këtë periudhë, dhe pritet që vala e të nxehtit të zgjasë të paktën deri në mesin e javës së ardhshme; e diela konsiderohet një nga ditët më të vështira.
Parashikimet e mëtejshme tregojnë se në Thesali dhe Maqedoninë Qendrore temperaturat pritet të arrijnë 39–40°C. Në Athinë termometri do të shënojë rreth 38°C, ndërsa në Selanik 37–38°C. Nga e hëna, falë forcimit të erërave veriore, pritet një ulje e lehtë e temperaturave në veri dhe lindje të vendit. Megjithatë, situata do të mbetet e vështirë në Greqinë Perëndimore dhe në Peloponez, ku e hëna dhe e marta mund të jenë ditët më të nxehta, me temperatura përsëri pranë 40°C.
Autoritetet u bëjnë thirrje veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës dhe të konsumojnë sa më shumë ujë. Bashkitë kanë hapur sallat me ajër të kondicionuar për personat në nevojë, për të ndihmuar në përballimin e temperaturave të larta.
Një rënie më e ndjeshme e temperaturave pritet nga e enjtja, kur erërat veriore në Egje mund të arrijnë 7 ballë. Megjithatë meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë e një rritjeje të përkohshme të temperaturave në fundjavën e ardhshme. Po ashtu ka parashikime që edhe shtatori do të jetë një muaj i nxehtë, me temperatura rreth 2–3°C mbi mesataren stinore. Top Channel.

