Në një atmosferë të rëndë dhimbjeje, familjarë dhe miq i dhanë sot lamtumirën e fundit 19-vjeçares Myrto në Kishën Metropolitane të Argostolit të Kefalonisë. Nëna e saj shfaqi dhimbjen gjatë ceremonisë, ndërsa në kurorat me lule shkruheshin mesazhe si “Udhëtim të mbarë engjëlli im” dhe “Të duam Myrto”. Vdekja e Myrtos, tre ditë më parë, ka tronditur jo vetëm Kefaloninë, por edhe opinionin publik në Greqi.
Sipas hetimeve të deritanishme, Myrto ndodhej në një dhomë hoteli me tre të rinj: një ish-peshëngritës 26-vjeçar, një 23-vjeçar dhe një 22-vjeçar. Preliminarisht ata kanë deklaruar se kanë përdorur lëndë narkotike, ndërsa rreth orës katër të mëngjesit gjendja e saj u përkeqësua ndjeshëm. 26-vjeçari, i cili është arrestuar, ka pranuar se bleu drogën dhe pretendon se mendoi se Myrto kishte pësuar një krizë epileptike dhe u përpoq ta ndihmonte; sipas tij, kjo shpjegon prezencën e gjurmëve të gjakut në dhomë, pasi thotë se vajza e kishte kafshuar në dorë.
22-vjeçari nga ana tjetër deklaron se ndodhej në një dhomë tjetër me një vajzë dhe u njoftua me telefon kur Myrto nuk ndihej mirë. Ai thotë se së bashku me të tjerët e nxorën jashtë për të marrë ajër dhe qëndruan pranë saj deri kur mbërriti ambulanca. Familja e Myrtosë kërkon një hetim të plotë dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie; avokati i familjes deklaroi se kur 19-vjeçarja dërgohej në spital pa ndjenja aty nuk kishte mjekë dhe se ato arritën kur ishte tepër vonë.
Në fokus të hetimeve është koha që vajza qëndroi pa ndjenja dhe me spazma në dhomën e hotelit para se të thirrej ambulanca, dhe nëse ajo u la ose jo e braktisur jashtë hotelit, pasi thuhet se është gjetur nga kalimtarë që lajmëruan ndihmën e shpejtë. Autoritetet po hetojnë gjithashtu rolin e mundshëm të një 66-vjeçari nga Preveza, i cili komunikonte me Myrtonë deri në orët e para të mëngjesit dhe i kishte dërguar 220 euro.
Rasti ka nxitur debat të fortë në rrjetet sociale; disa komente përqendrohen tek pamja e jashtme dhe zgjedhjet personale të vajzës, ndërsa të tjerë kundërshtojnë këtë qasje dhe kërkojnë përgjigje për shkaqet e vdekjes.














