Sot në Qendrën Spitalore të Burgjeve u konstatuan i pajetë i dënuari F.Q., 47 vjeç, i cili po vuante dënimin prej 25 vjetësh me vendimin nr. 53, datë 07.03.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, i formës së prerë më datë 19.03.2007, për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/b/c-25 i Kodit Penal.
Sipas shënimeve zyrtare, i dënuari vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte diagnostikuar me skizofreni. Ai ndiqej në mënyrë të vazhdueshme nga shërbimet shëndetësore të sistemit penitenciar dhe trajtohej me medikament të specializuar. Gjatë periudhës 2022–2026 ishte shtruar disa herë në Spitalin e Burgjeve, ndërsa shtrimi i fundit është regjistruar më datë 28.05.2026.
Të dhënat paraprake tregojnë se rreth orës 16:50 i dënuari është konstatuar i vetëvarur në ambientin e tualetit të dhomës së akomodimit, duke përdorur një mjet vetjak. Pas konstatimit, stafi i sigurisë dhe ai shëndetësor ndërhynë menjëherë, por verifikimet e kryera kanë konstatuar se vdekja kishte qenë e menjëhershme. Pak minuta më parë, në orën 16:20, i dënuari ishte vizituar nga personeli shëndetësor. Gjatë intervalit kohor deri në momentin e konstatimit, punonjësi i policisë në shërbim ka kryer kontrollet dhe monitorimin sipas procedurave të parashikuara.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me organin e Prokurorisë, po vijon kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllimet për familjarët e të ndjerit dhe garanton bashkëpunim të plotë me institucionet përgjegjëse për zbardhjen e plotë të rastit.
Burimi i njoftimit: Top Channel.

