Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka shprehur keqardhje dhe zhgënjim lidhur me hyrjen në fuqi, më 1 shtator, të Rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Sipas reagimit të AGSH, rregullorja u miratua pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më parë nga komuniteti i gazetarëve dhe nga organizatat vendase e ndërkombëtare të medias. Një nga shqetësimet kryesore të përmendura është kufizimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore, dispozitë që sipas Asociacionit ndikon drejtpërdrejt në punën e reporterëve.
AGSH thekson se kishte kërkuar zhvillimin e një procesi konsultimi me gazetarët dhe me organizatat përfaqësuese të medias përpara hyrjes në fuqi të Rregullores, veçanërisht për dispozitat që prekin mënyrën e raportimit dhe aktivitetin e reporterëve në sallat e gjykatave. Asociacioni shpreh gatishmërinë për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv me institucionet përgjegjëse, por paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të kundërshtuar vendimin.
Në reagim AGSH njeh rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por thekson se ky objektiv duhet të harmonizohet me të drejtën e gazetarëve për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t’u informuar. Asociacioni insiston se masat që synojnë sigurimin e rendit dhe efikasitetit të procedurave duhet të merren në një mënyrë që nuk e pamundëson apo nuk e vështirëson teprapë aktivitetin raportues të medias.
Reagimi përsërit kërkesën për konsultim dhe angazhim me komunitetin mediatik para implementimit të ndryshimeve që prekin praktikën gazetareske, duke nënvizuar nevojën për balancim ndërmjet sigurisë së procedurës dhe të drejtave të informimit. Asociacioni deklaron gatishmërinë për dialog, por mbetet i vendosur të sfidojë vendimin e miratuar.

