“Humba edhe gruan, edhe djalin. Ata po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi… humba gjithçka. E ndjeva se diçka nuk po shkonte mirë dhe i mora në telefon, por nuk mu përgjigjën,” tha bashkëshorti i 43-vjeçares dhe babai i 21-vjeçarit, duke përshkruar dhimbjen pas aksidentit rrugor fatal që ndodhi të premten në mëngjes në rrugën provinciale Amfipoli–Drama, pranë Paleokomit në Serres.
Brenda pak çastesh ai humbi bashkëshorten dhe djalin, të cilët ishin nisur herët për në punë. Sipas mediave greke, familja ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte prej vitesh në Paleokomi. 43-vjeçarja dhe djali i saj 21-vjeçar punonin në të njëjtën kompani me seli në plazhin e Ofrynit dhe po udhëtonin së bashku për në punë. I riu ishte në timon, ndërsa nëna ndodhej si pasagjere. Rreth orës 07:30 automjeti i tyre u përplas ballë për ballë me një kamion; përplasja rezultoi fatale për të dy.
Shoferi i kamionit, 56 vjeç, dha për mediat greke versionin e tij për ngjarjen. Ai tha se po lëvizte normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75–80 km/orë, sa lejohet në atë segment, kur papritur pa makinën që humbi kontrollin dhe kaloi në korsinë e kundërt. “Po lëvizja normalisht në korsinë time me 75 deri në 80 kilometra në orë… Papritur pashë një makinë që vinte drejt meje. Dukej se kishte humbur kontrollin në zbritje nga zona e Soulit të Vogël,” deklaroi ai. Shoferi tha se u përpoq të shmangte përplasjen duke devijuar majtas, por nuk pati kohë të evitonte goditjen. Ai u dëmtua lehtë dhe u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, dy automjete zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës, që punuan për nxjerrjen e viktimave dhe menaxhimin e situatës. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta në të cilat ndodhi përplasja tragjike. Burimi i informacionit është Top Channel.

