Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbërritur në Sofje të Bullgarisë për të marrë pjesë në mbylljen e Presidencës së Bullgarisë në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën 2025–2026, ku do të zhvillohet Takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse. Paraditen e sotme Hoxha u prit në një takim bilateral nga Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, takim që riafirmoi partneritetin e fortë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Në një postim në X pas takimit, Hoxha theksoi rëndësinë e thellimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në sektorë kyç si energjia, infrastruktura dhe ndërlidhja strategjike. Ai vuri në dukje rëndësinë e Korridorit VIII, të cilin e përshkroi si “një lidhje me rëndësi jetike midis rajoneve të Adriatikut dhe Detit të Zi, me potencial të konsiderueshëm për të rritur tregtinë, lëvizshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë Evropën Juglindore.”
Sipas postimit, palët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare dhe riafirmuan angazhimin për paqen, sigurinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Hoxha nënvizoi edhe mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe avokimin e saj për një politikë të besueshme zgjerimi.
Në komunikim u theksua gjithashtu roli i minoriteteve kombëtare në vendet përkatëse, të cilat u përshkruan si ura miqësie dhe bashkëpunimi. Takimi bilateral pasqyron fokusin në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha strategjike dhe koordinimin në çështje rajonale dhe evropiane, ndërsa pjesëmarrja në Takimin e Ministrave të Jashtëm të SEECP shënon përfshirjen e Shqipërisë në proceset e dialogut rajonal nën presidencën bullgare.

