Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, u bë viktimë e një grabitjeje në vilën e tij në Cheshire, ndërsa ndodhej në Itali për ndeshjen e Champions League kundër Comos. Sipas mediave britanike, incidenti ndodhi rreth orës 20:30 të së mërkurës, më 21 tetor, në banesën me gjashtë dhoma gjumi në zonën Nether Alderley, pjesë e ashtuquajturit “Trekëndësh i Artë”.
Autorët, tre persona të maskuar, dyshohet se kanë hyrë në pronë nga pjesa e pasme e kopshtit që kufizohet me një zonë të pyllëzuar. Ata kanë marrë bizhuteri luksoze dhe sende të tjera me vlerë, dhe më pas janë larguar pa lënë gjurmë. Nuk dihet nëse bashkëshortja e Fernandes, Ana Pinho, dhe dy fëmijët e tyre ndodheshin në shtëpi gjatë grabitjes.
Policia e Cheshire u njoftua pasi një fqinj vuri re tre persona të panjohur në kopsht. Efektivët mbërritën brenda pak minutash, por autorët ishin larguar. Gjatë kontrollit policia konstatoi se ishte kryer një grabitje dhe disa sende mungonin. Inspektori David Jarvis nga sektori hetimor i Macclesfield tha: “Hetimi është në fazat e para dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që është e mundur për të identifikuar personat përgjegjës”.
Policia po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe i ka bërë thirrje banorëve që mund të kenë vënë re lëvizje të dyshimta të ndihmojnë hetimet. Raportohet se banesa kishte kamera sigurie, sistem alarmi me zona të dedikuara dhe porta elektrike, por këto masa nuk e ndaluan depërtimin e grabitësve.
Grabitësit nuk prekën automjetet luksoze të pronës, përfshirë një Bentley Continental GT, me vlerë rreth 250 mijë paund, dhe një Bentley Bentayga, vlerësohet rreth 180 mijë paund. Ngjarja dyshohet të lidhet me fenomenin në Britani të njohur si “grupet e grabitjeve gjatë ndeshjeve”, që monitorojnë kalendarin sportiv për të vjedhur banesat e futbollistëve kur ata janë jashtë.
Grabitja erdhi pas një mbrëmjeje të rëndë sportive për Fernandes dhe Manchester United, të cilët u mposhtën 4-1 nga Como. Pas takimit, mesfushori komentoi zgjedhjet taktike të trajnerit Michael Carrick, duke thënë: “Është një vendim i stafit që të mos bëjë presing lojtar më lojtar… Por, kur ua lë shumë topin këtyre skuadrave, ato fitojnë besim”.

