Aktorja amerikane Drea de Matteo ka njoftuar se nuk ka ndërmend të largohet nga platforma OnlyFans, ku u bë pjesë në moshën 51-vjeçare dhe që prej atëherë e konsideron si një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe pavarësi financiare. Tani 54 vjeçe, De Matteo tha se OnlyFans i ka ofruar më shumë kontroll mbi karrierën dhe i jep lirinë të punojë “vetëm kur dua unë”. Ajo rrëfeu se vendimi për t’u bashkuar me platformën erdhi gjatë një periudhe të vështirë ekonomike, kur rrezikonte të humbiste shtëpinë, dhe se pas hapjes së llogarisë siguroi rreth 75 mijë dollarë në vetëm 75 minuta.
E njohur globalisht për rolin e Adrianës La Cerva në serialin The Sopranos, ku luajti nga 1999 deri në 2004, De Matteo ka pasur më pas role edhe në seriale të tjera si Desperate Housewives dhe Joey, spin-off i Friends, ku luajti përkrah Matt LeBlanc. Megjithatë, aktorja ka theksuar se fama nga këto role nuk i solli domosdoshmërisht përfitimet financiare që shumë njerëz supozojnë, duke vënë në dukje se gjatë kohës së The Sopranos nuk kishte marrëveshje të zhvilluara për pagesa të vazhdueshme nga transmetimet e mëvonshme të serialeve. “Njerëzit mendojnë se jam e mbushur me ar, por nuk është kështu,” u shpreh ajo.
De Matteo e sheh pjesëmarrjen e saj në OnlyFans si një mënyrë për të përfaqësuar gratë më të rritura që zgjedhin këtë platformë. Ajo tha se ndihet e lumtur të përfaqësojë gratë mbi 50 vjeç dhe dëshiron të sjellë një imazh tjetër për këtë grupmoshë. Së fundmi bëri edhe debutimin e saj në pasarelë, duke marrë pjesë në një shfaqje mode të lidhur me OnlyFans dhe stilisten Natasha Zinko; ajo pranoi se ndoshta nuk i përket më kategorisë tipike të modeleve të pasarelave, por është e kënaqur të sjellë një tjetër paraqitje për gratë mbi 50 vjeç.
Drea de Matteo vazhdon të jetë një figurë e njohur e televizionit amerikan, ndërsa karriera e saj ka zgjëruar drejt krijimit të përmbajtjes në internet dhe aktiviteteve që i japin më shumë pavarësi dhe kontroll mbi punën e saj.

