Në më pak se dy vjet janë regjistruar katër ngjarje të rënda lidhur me sigurinë e Donald Trump, që ngrejnë shqetësime për polarizimin dhe dhunën politike në SHBA. Dy ngjarje u konsideruan tentative atentati, një tjetër u ndalua para se të shndërrohej në sulm të hapur, ndërsa një incident i fundit përfshinte të shtënat brenda një hoteli.
Ngjarja më e rëndë ndodhi në Butler, Pensilvani, gjatë një tubimi elektoral në ajër të hapur. Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç pa precedent penal, pozicionoi veten në një ndërtesë rreth 130 metra larg skenës dhe hapi zjarr. Një plumb goditi presidentin në veshin e djathtë, ndërsa një tjetër vrau një person në turmë. Snajperët e Shërbimit Sekret reaguan menjëherë dhe neutralizuan sulmuesin. Në kaos Trump u nxor me urgjencë, por pak çaste më vonë u ngrit me grushtin lart, i gjakosur, një imazh që u kthye në simbol të fushatës së tij.
Rasti i dytë ndodhi rreth 50 ditë para zgjedhjeve në Palm Beach, Florida, ndërsa Trump ishte në fushën e tij të golfit. Shërbimi Sekret identifikoi një person të armatosur të fshehur pranë perimetrit të sigurisë. Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, u arrestua para se të hapte zjarr; ai kishte me vete një pushkë dhe materiale që tregonin për një plan sulmi. Autoritetet thanë se ai kishte pritur për orë të tëra dhe u përpoq të largohej kur u zbulua, por u kap në një autostradë pranë zonës.
Ngjarja e tretë ndodhi në Kaliforni pak javë para zgjedhjeve. Në një pikë kontrolli pranë vendit të mitingut, u arrestua Vem Miller, 49 vjeç nga Las Vegas. Në automjetin e tij u gjetën armë zjarri, përfshirë një pushkë dhe një pistoletë, si dhe dokumente identifikimi me emra të ndryshëm. Ai dyshohej se po përgatitej për një veprim të dhunshëm, megjithëse FBI nuk e klasifikoi zyrtarisht si tentativë atentati.
Rasti i fundit ndodhi të shtunën, kur një 31-vjeçar hyri në hotel ku po zhvillohej mbrëmja me gazetarët dhe nisi të qëllonte.
Kriminologët kanë folur për hyrjen e Amerikës në një territor të ri të dhunës politike. Statistikat e përmendura tregojnë se rreth një e treta e 45 burrave që kanë shërbyer si presidentë kanë pësuar përpjekje vrasjeje, si rasti i Ronald Reaganit i plagosur rëndë në 1981. Katër presidentë janë vrarë: Abraham Lincoln në 1865, James Garfield në 1881, William McKinley në 1901 dhe John Kennedy në 1963.















