Polonia është tronditur nga hetimet ndaj 43-vjeçarit Michael P., i akuzuar për vrasjen e të paktën shtatë grave, ndërsa policia nuk përjashton mundësinë që numri i viktimave të jetë edhe më i lartë. Hetuesit e kanë cilësuar të dyshuarin si një nga vrasësit serialë më të rrezikshëm në historinë e vendit dhe ndoshta edhe në Evropë.
Sipas hetimeve, Michael P. punonte si hidraulik dhe përmes profesionit kishte akses në banesat e grave, kryesisht të pambrojtura. Ai vëzhgonte ambientet dhe më pas kthehej me pretekste të ndryshme; pasi hynte në banesa dyshohet se i lidhte dhe kërcënonte viktimat, duke i detyruar të tregonin se ku mbanin paratë dhe sendet me vlerë. Autoritetet thonë se, pasi sigurohej për para ose sende me vlerë, ai i vriste viktimat, kryesisht duke i mbytur me qese ose jastëkë ndërsa ato ishin të lidhura në karrige.
43-vjeçari u arrestua në shkurt 2025, pasi një punonjës i një qendre telefonike bankare dëgjoi gjatë një telefonate zërat e një gruaje që po mbytej. Gruaja kishte telefonuar për të marrë udhëzime për ndryshimin e PIN-it të kartës së saj bankare; telefoni ishte ende i hapur dhe biseda po regjistrohej, duke u mundësuar autoriteteve të ndërhynin. Kur policia mbërriti në banesën e gruas së moshuar, Michael P. u gjet nën ballkonin e shtëpisë.
Në momentin e arrestimit, hetuesit raportojnë se ai ishte nën ndikimin e drogës dhe kishte probleme me varësinë nga bixhozi. Në telefonin e tij u gjetën rreth 75 mijë fotografi, disa prej të cilave, sipas hetuesve, lidhen me viktimat. Në çantën e shpinës u gjetën doreza, shirit elektrik dhe fasha, të cilat dyshohet se i përdorte për të lidhur viktimat. Hetimet tregojnë se fillimisht ai ishte më i kujdesshëm në fshehjen e gjurmëve, ndërsa më vonë nisi të linte më shumë prova, përfshirë fashot që u gjetën në duart e viktimave.
Në kuadër të hetimit janë arrestuar edhe dy shtetas ukrainas, të dyshuar se kanë bashkëpunuar me Michael P. në disa prej vrasjeve. Njëri prej tyre, 33-vjeçari Taras H., ka pranuar pjesëmarrjen, por ka deklaruar se qëllimi i tij ishte vetëm vjedhja dhe se nuk kishte dashur të vriste. I dyti, Ihor H., i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar, mohon çdo përfshirje.

