Mbi 34,002 prona të qytetarëve ukrainas janë sekuestruar ose identifikuar për sekuestrim në territoret e pushtuara nga Rusia, sipas një hetimi të BBC Verify dhe BBC Russian. Hetimi tregon se autoritetet e instaluara nga Moska po marrin shtëpitë e pronarëve ukrainas për t’ua dhënë mbajtësve të pasaportave ruse ose për t’i përdorur për nevoja të administratës së pushtimit. Përveç banesave private, në shënjestër kanë rënë edhe mijëra biznese, përfshirë zyra dhe hotele.
Sipas të dhënave të analizuar, që nga viti 2024 janë identifikuar 34,002 apartamente, shtëpi dhe banesa pushimi në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Hetimi dokumenton raste konkrete: pastorii ungjillor Ihor Ivashchuk nga Melitopoli u largua në 2022 për shkak të pushtimit dhe për të siguruar trajtim mjekësor për bashkëshorten. Ai ia besoi shtëpinë një miku, por në fund të vitit 2024 persona me uniforma ushtarake kërkuan dokumentet e pronësisë, më pas miku u dëbua dhe shtëpia nuk ishte më në pronësinë e tij.
Hetimi thekson se ukrainasit rrallë njoftohen zyrtarisht kur pronat shpallen “pa pronar”. Për të shmangur sekuestrimin, ata duhet të marrin shtetësi ruse, të kthehen personalisht në territoret e pushtuara brenda 30 ditëve dhe të kalojnë procedura të rrepta sigurie, duke rrezikuar arrestimin. BBC Verify raportoi fillimisht për këtë praktikë në Mariupol, ku vitin e kaluar u identifikuan rreth 5,700 prona për sekuestrim. Më pas, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj që formalizon procesin në katër rajonet që Rusia i aneksoi.
Hetimi përfshin edhe historinë e një familjeje nga Mariupoli; vajza e pronarit, e identifikuar me emrin e ndryshuar Ivanna, tha se shtëpia ishte ndërtuar nga babai për nënën e sëmurë me kancer, por në prill autoritetet i njoftuan gjyshërit se prona ishte identifikuar për sekuestrim. Dokumentet e BBC Verify tregojnë se në një bllok apartamentesh në Mariupol 61 banesa janë shpallur “pa pronar”, ndërsa në të njëjtën zonë 393 apartamente në 17 ndërtesa janë identifikuar për sekuestrim. Hetimi ngre shqetësime për shkallën e gjerë të konfiskimit dhe ndikimin te mijëra familje ukrainase të detyruara të largohen.

