Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Tiranën dhe u takua me kryeministrin Edi Rama, ku zhvilluan një konferencë për shtyp. Temë qendrore e diskutimeve ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përshpejtimi i negociatave dhe reformat e nevojshme, si dhe çështjet e fundit që kanë ngjallur debat publik, përfshirë hetimet dhe masën e arrestit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH.
Rama theksoi angazhimin e qeverisë për të vijuar procesin e integrimit dhe për të mbyllur kapitujt e negociatave, duke shprehur pritshmërinë që disa kapituj të mbyllen para fundit të këtij viti dhe të tjerë të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm. Ai vlerësoi mbështetjen e BE-së përmes Planit të Rritjes, si dhe arritjet në këtë program që kanë kapur objektiva ambicioze, që sipas tij janë një nga risitë e mandatit të von der Leyen.
Në lidhje me projektin e diskutuar shumë për zonën e Zvërnecit, Rama tha se po pritet studimi i thelluar mjedisor dhe njoftoi hapa për rritjen e transparencës dhe ndërveprimin me publikun, duke premtuar publikimin e dokumenteve dhe procesit në ditët e ardhshme. Ai po ashtu nënvizoi përpjekjet e qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke deklaruar se tashmë “nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për zhvillimet në drejtësi dhe hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Rama tha se këto çështje duhet t’u lihen institucioneve të drejtësisë dhe që materialet hetimore nuk duhet të përdoren për gjykime publike përpara përfundimit të procesit. Sipas tij, ajo që këtu perceptohet si regres, nga BE dhe Komisioni Evropian shihet si progres. Ai kërkoi që prokuroria dhe gjykata të kryejnë punën e tyre dhe të dalin me rezultatet.
Rama vendosi përgjegjësinë e tij politike te vazhdimi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, duke theksuar se detyra e qeverisë është llogaridhënia dhe se kushdo që tradhton duhet të përballet me drejtësinë.

