Hetimi i Prokurorisë së Milanos mbi skandalin e arbitrazhit në futbollin italian, i referuar nga La Repubblica, mbështetet në dëshmitë e 29 arbitrave dhe ish-arbitrave të Serie A dhe B që janë marrë në pyetje muajt e fundit. Disa nga dëshmitë përmendin të ashtuquajturin “sistemin Rocchi”, duke dëshmuar se ish-dezinjatori i arbitrave kishte kontakte telefonike me drejtues të klubeve, veprim i ndaluar nga rregullorja, dhe që sipas tyre ishte bërë për të fituar favore personale.
Në qendër të hetimeve ndodhen aktualisht pesë ndeshje, me theks të veçantë te sfida Inter–Roma e 27 prillit 2025 dhe roli i supervizorit të asaj jave, Andrea Gervasoni. Në denoncimin e tij, ish-asistenti arbitrar Domenco Rocca kishte përmendur këtë përballje, duke ngritur dyshime për trajtimin e situatës nga autoritetet e arbitrazhit dhe për mospërfshirjen e ndërhyrjeve që mund të kishin ndryshuar vendimet në fushë.
Sipas artikullit, gjatë rishikimit në VAR pas kontaktit midis Ndicka dhe Bisseck, në sallën VAR është dëgjuar fraza “Shih punët e tua…” e drejtuar ndaj asistentit të VAR që sinjalizonte faullin ndaj futbollistit të Interit; dëshmitari që raporton këtë deklaratë thotë se ajo ishte bërë bazuar në udhëzime të supervizorit Gervasoni. Audio e sallës VAR nuk është bërë asnjëherë publike. Për atë ndeshje, arbitër kryesor ishte Michael Fabbri, ndërsa në VAR ishte Marco Di Bello dhe si AVAR, Marco Piccini.
Lajmi i publikuar nga La Repubblica thekson se hetimi po merr në konsideratë marrëdhënie të dyshimta mes zyrtarëve të arbitrave dhe përfaqësuesve të klubeve, si dhe raste konkrete ku vendimet në VAR ose mungesa e ndërhyrjeve të pranuara mund të kenë pasur ndikim në rezultatet dhe ecurinë e kampionatit. Hetimet mbeten në zhvillim dhe informacionet e deritanishme burojnë kryesisht nga dëshmitë e përmendura.















