Zhvillime në çështjen e dyshuar të abuzimit me fondet në filialin e Postës Shqiptare në Durrës kanë sjellë ndryshime në drejtim dhe nisjen e kontrolleve të mëtejshme. Pas shkarkimit të drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe referimit të çështjes në Prokurori, në krye të filialit është komanduar Shpresa Ismaili, ish-shefe e burimeve njerëzore. Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare ka rikthyer në Durrës grupin e auditit të brendshëm për një kontroll të thelluar financiar dhe administrativ.
Audituesit do të verifikojnë gjatë muajit korrik dokumentacionin financiar, rakordimin e fondeve dhe lëvizjet financiare të filialit, me qëllim të përcaktimit nëse abuzimet e konstatuara janë të izoluara apo kanë shtrirje më të gjerë. Gjetjet e auditit të ri pritet t’i vihen në dispozicion edhe Prokurorisë, e cila do të përcaktojë përgjegjësitë konkrete dhe nëse ka pasur shkelje penale në administrimin e fondeve publike dhe nga kush. Deri në përfundim të hetimeve, të gjitha pretendimet mbeten objekt verifikimi nga organi i akuzës.
Kallëzimi penal i depozituar nga Posta Shqiptare ndaj drejtuesve të filialit të Durrësit i ka rënë prokurorit Gazmend Frëngu. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se në të njëjtën dosje pritet të bashkohen edhe dy kallëzimet e tjera penale: ai i ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe ai i ish-shefes së financës Valbona Duni. Dy drejtueset akuzojnë njëra-tjetrën për abuzim me detyrën, përvetësim fondesh dhe falsifikim dokumentacioni financiar, dhe kanë kërkuar hetim të plotë mbi veprimet e kryera në filial.
Përtej vlerës së 700 mijë eurove, apo 69 milionë lekëve të munguara në shërbimin e pagesave dhe të dokumentuara nga auditi i mëparshëm, dyshimet lidhen me një dëm ekonomik që mund të arrijë deri në 3 milionë euro. Prokuroria do të përdorë informacionet nga auditimi i ri për të përcaktuar shkallën e dëmës dhe përgjegjësitë penale eventuale.

