SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump i është referuar vazhdimisht prezantuesit të CNN, Anderson Cooper me emrin e një gruaje. Edhe ditën e sotme në një postim në Truth Social, Trump teksa përmendi disa nga televizonet amerikane dhe gazetarët që sipas tij shpërndajnë lajme të rreme, tha se një prej tyre ishte dhe “Allison” (Anderson) Cooper i CNN.
Sipas mediave amerikane, si New York Times, CBS news apo Associated Press, Trump i referohet rregullisht njerëzve që nuk i pëlqen me nofka, por referencat e tij ndaj Cooper prej kohësh duket se kishin për qëllim të përçmonin seksualitetin e Cooper, i cili ka deklaruar hapur se është homoseksual.
Teksa kandidonte vitin e kaluar për zgjedhjet presidenciale fushata e Trump dhe grupet aleate kanë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për reklama anti-transgjinore. Ai i përqendroi mesazhet e tij në fushata me një apel hipermashkullor ndaj burrave.
Në dy tubime të fushatës elektorale dhe një herë në platformën e tij të mediave sociale, Trump i është referuar Cooper si “Allison Cooper”. Gjatë një tubimi në Michigan, ai u shpreh duke u tallur: “Oh, emri i tij është Anderson. Oh jo.”
Gjatë mandatit të tij të parë të Trump si president, Departamenti i Drejtësisë ndërhyri në një padi private për punësimin, duke argumentuar se një ligj i rëndësishëm federal për të drejtat civile nuk i mbronte punonjësit nga diskriminimi bazuar në orientimin seksual.
Administrata Trump gjithashtu dobësoi mbrojtjet kundër diskriminimit për personat LGBTQ në fusha të tjera, dhe gjatë fushatës vitin e kaluar propozoi një sërë politikash anti-transgjinore nëse zgjidhej përsëri president.