Tetë nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë regjistruan fitime prej rreth 93 miliardë dollarësh gjatë tremujorit prill-qershor, pasi rritja e çmimeve të energjisë u nxeh edhe nga konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit dhe pasojat e krizës klimatike. Sipas analizës së publikuar nga The Guardian, Saudi Aramco, Shell, BP, ExxonMobil, Chevron, TotalEnergies, Equinor dhe Eni përfituan nga rritja e çmimit të naftës, duke fituar mesatarisht mbi 700 mijë dollarë në minutë gjatë këtij tremujori.
Organizatave mjedisore u thanë se industria e naftës “përfiton nga mjerimi njerëzor”, ndërsa miliona familje përballen me fatura më të larta energjie dhe me impaktet e ndryshimeve klimatike, përfshirë zjarre, thatësira dhe valë ekstreme të të nxehtit. Fitimin më të lartë e raportoi Saudi Aramco, me mbi 33 miliardë dollarë. BP shënoi fitimin më të lartë që nga 2022, me 5.73 miliardë dollarë, ndërsa edhe Shell, Chevron dhe ExxonMobil raportuan rritje të ndjeshme të fitimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Analiza vë në dukje gjithashtu që vlera në treg e këtyre tetë kompanive u rrit me rreth 600 miliardë dollarë, duke kaluar pragun e 3 trilionë dollarëve. Ndërkohë, shkencëtarët paralajmërojnë se vera e këtij viti solli valët më të rënda të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë në Evropë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me ngrohjen globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Vetëm në Evropë, temperaturat ekstreme konsiderohen se kanë shkaktuar rreth 20 mijë viktima, ndërsa thatësirat, zjarret dhe përmbytjet kanë sjellë dëme të mëdha në disa kontinente.
Aktivistët e klimës kërkojnë vendosjen e taksave shtesë mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës dhe përdorimin e këtyre fondeve për financimin e energjive të rinovueshme dhe për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

