Një 64-vjeçare u gjet e gjallë 11 ditë pas përmbytjeve shkatërruese që preknë rajonin e lumit Bhotekoshi në Nepal. Chandika Shrestha u zbulua e bllokuar në katin e katërt të një banese katërkatëshe në zonën Betravati, në distriktin Nuwakot, ndërsa ndërtesa ishte pothuajse tërësisht e mbuluar nga balta, shkëmbinjtë dhe mbeturinat e sjella nga përmbytjet. Shtëpia e saj ishte marrë nga ujërat dhe më pas mbuluar nga një sasi e madhe balte; pjesa tjetër e ndërtesës ishte shkatërruar, ndërsa ajo kishte mbetur e bllokuar në katin e sipërm.
Ekipet e kërkim-shpëtimit në vend dëgjuan zëra të dobët që vinin nga brenda ndërtesës së dëmtuar. Për të shpëtuar viktimën, shpëtimtarët ndaluan përdorimin e makinerive të rënda dhe nisën të largonin me kujdes materialet derisa arritën të hapnin një vrimë në mur dhe ta nxirrnin gruan. Pas shpëtimit, 64-vjeçares iu dha menjëherë ujë dhe ndihma e parë; më pas ajo u transportua me helikopter drejt një spitali në Katmandu, ku po merr trajtimin e nevojshëm.
Shpëtimi i Shresthës është cilësuar si një mrekulli, pasi ajo kishte qëndruar e bllokuar për gati dy javë në kushte ekstreme brenda një prej fatkeqësive më të rënda natyrore që ka goditur vendin vitet e fundit. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, të shkaktuara nga reshjet intensive dhe rrjedhat e fuqishme të ujit në lumenjtë Bhotekoshi dhe Trishuli, kanë shkaktuar qindra viktima dhe kanë lënë mijëra persona të zhdukur.
Historia e Chandika Shresthës ka sjellë një moment shprese mes tragjedisë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për të gjetur persona të tjerë që ende rezultojnë të zhdukur.

