Policia e Tiranës njofton arrestimin e njërit prej autorëve të dyshuar për grabitjen me armë në një argjendari në Paskuqan, rreth dy javë më parë. Sipas raportimit të gazetares Dorjana Bezat, në pranga ka rënë Argys Kalsi. Identifikimi i autorit u bazua në armën dhe veshjet që policia i gjeti pak ditë pas ngjarjes. Gjatë hetimeve janë sekuestruar një armë zjarri automatike, një motomjet, veshje, maska silikoni dhe një krehër me fishek. Dyshohet se në grabitje morën pjesë dy persona të maskuar, ndërsa Policia dhe Prokuroria vlerësojnë se vlera e bizhuterive të vjedhura arrin rreth 1.5 milionë lekë të reja.
Në një tjetër rast, për vjedhjen e një sasie bizhuterish në një argjendari në Kamëz, më datë 05.08.2026, vijojnë veprimet hetimore intensive dhe është identifikuar, kapur dhe vendosur në pranga një nga autorët e dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në kuadër të operacionit të koduar “Gold” dhe në drejtim të Prokurorisë së Tiranës, kanë finalizuar hetimet proaktive që zgjatën disa javë dhe kanë arrestuar shtetasin A. K., 35 vjeç, banues në Laç. Nga hetimet rezulton se ky shtetas, bashkë me një tjetër person ende të paidentifikuar, më datë 05.08.2026 kanë vjedhur bizhuteri dhe janë larguar me një motomjet.
Në vijim të veprimeve, më datë 06.08.2026, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur u sekuestruan si prova materiale: një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete i lyer me ngjyrë gri, dy maska silikoni, një palë doreza dhe veshje të tjera që dyshohet të jenë përdorur gjatë kryerjes së vepres. Më datë 09.08.2026, në zonën e quajtur “Liqeni i Qinamit”, fshati Qinam, u gjet dhe u sekuestrua një motomjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër dhe për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale janë kaluar në Prokurori për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

