Detaje nga dosja hetimore tregojnë se 44-vjeçari Rezart Abazaj rrezikoi jetën e efektivëve të policisë gjatë një ndjekjeje mbrëmjen e 16 majit në lagjen 17 të Durrësit. Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke vlerësuar rrezikshmërinë e tij dhe sjelljen agresive ndaj punonjësve të policisë. Ngjarja ndodhi pak ditë pas një aksidenti tragjik në të njëjtën zonë, ku humbën jetën dy fëmijë, dhe për këtë arsye policia rrugore kishte shtuar kontrollet për drejtuesit e automjeteve në gjendje të dehur, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
Sipas dëshmisë së komandantit të shërbimit rrugor, specialistit F. H., rreth orës 19:45 efektivët konstatuan një “Ford Focus” pa targa që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të çrregullt në rrugicat e lagjes. Pavarësisht sinjalit për të ndaluar, drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe hyri në rrugët e brendshme; pas disa minutash automjeti ndaloi për pak në rrugën “Nikolin Xhoja”. Kur komandanti i policisë u afrua për t’i kërkuar shoferit të fikte mjetin, 44-vjeçari shtypi gazin, tërhoqi efektivin dhe i dëmtoi dorën. Më pas, pasi punonjësi u rikthye pranë mjetit të policisë, drejtuesi lëvizi mbrapsht me shpejtësi, përplasi fort automjetin e policisë, duke shkaktuar dëme të shumta dhe hapjen e airbag-ëve; plastika e parakolpit e spostuar e goditi punonjësin në këmbën e djathtë.
Hetimet tregojnë se Abazaj kundërshtoi me dhunë arrestimin, tentoi të largohej dhe shtyu punonjësit gjatë neutralizimit. Në zonë ndodheshin shumë fëmijë që po luanin pranë rrugës, çka sipas hetuesve e bëri situatën më të rrezikshme. Testi i alkoolit regjistroi 1.4 mg/l në matjen e parë dhe 1.35 mg/l në të dytën; verifikimet treguan se ai nuk kishte leje drejtimi. Po ashtu rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale, pasi më 5 mars ishte arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Prokurorja Kurti argumentoi para Gjykatës se masa “arrest në burg” ishte e domosdoshme për shkak të rrezikshmërisë së autorit, nivelit të lartë të alkoolit, përsëritjes së veprës penale dhe dhunës ndaj punonjësve të policisë, duke vlerësuar se çdo masë më e lehtë do të ishte e pamjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.

