Pas vendimit të parë, me të cilin konstatoi cenimin e standardeve kushtetuese në lidhje me shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mandat i fituar drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve, Gjykata Kushtetuese ka vendosur sërish në favor të Erion Veliajt, duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë dhe duke ia kthyer çështjen për rishqyrtim.
Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll kushtetues efektiv mbi masën e sigurisë: nuk ka analizuar proporcionalitetin e saj në raport me funksionin publik të ushtruar nga kërkuesi, nuk ka vlerësuar në mënyrë konkrete alternativat ndaj paraburgimit dhe nuk ka dhënë një përgjigje kushtetuese për ndikimin që kjo masë sjell mbi të drejtën për të ushtruar mandatin e fituar me votën e qytetarëve. Po ashtu, Gjykata vlerëson se nuk është marrë në konsideratë ndikimi i masës mbi të drejtën e qytetarëve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi që kanë zgjedhur.
Vendimi rithekson nevojën e respektimit të standardeve kushtetuese në çdo kufizim të lirisë personale, veçanërisht kur bëhet fjalë për një funksion publik të fituar përmes zgjedhjeve demokratike. Kjo qasje nuk lidhet vetëm me çështjen e zotit Veliaj, por shtrin implikimet e saj edhe për mënyrën se si duhet të veprohet kur merren masa sigurie ndaj personave që mbajnë poste të zgjedhura.
Gjykata Kushtetuese i kërkon Gjykatës së Lartë të zbatojë pa vonesë detyrimet e vendosura dhe të shqyrtojë me prioritet absolut çështjen e masës së sigurisë, duke garantuar standardet kushtetuese të kërkuara. Një vendimmarrje e shpejtë cilësohet si detyrim jo vetëm ndaj individit të përfshirë në procedim, por edhe ndaj rendit kushtetues, funksionimit normal të institucioneve dhe të drejtës së qytetarëve të Tiranës për të pasur një qeverisje vendore që funksionon në përputhje me Kushtetutën.

