Një ditë pasi Gjykata e Posaçme në seancë paraprake ktheu dosjen e SPAK-ut me të pandehur Ilir Beqajn, Ermal Kurtulaj — njëri nga nëntë të pandehurit që vazhdon të mbahet në arrest në burg — i është drejtuar menjëherë Gjykatës së Posaçme me kërkesë për shuarje të masës së sigurisë. Avokati i Kurtulajt, Ermir Beta, deklaroi për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, se kërkesa u depozitua sot në referim një vendimi njësues të Gjykatës së Lartë që përcakton afatet e paraburgimit dhe se, sipas llogarive të mbrojtjes, këto afate kanë përfunduar.
Avokati i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj, i kontaktuar gjithashtu nga gazetarja Hoxha, konfirmoi se do të kërkojë në gjykatë shuarjen e masës së sigurisë së arrestit në burg ndaj ish-ministrit, i cili në këtë rast mbahet i paraburgosur për llogari të dosjes së SPAK-ut. Nga lista e nëntë të pandehurve që përfshihen në hetim, Kurtulaj dhe Beqaj janë të vetmit që ndodhen në arrest; në hetim rezultojnë edhe dy shoqëri tregtare.
Dosja e agjencisë SPAK-u ishte mbajtur në gjykim paraprak dhe me dyer të mbyllura për afro një vit. Pas dëgjimit të palëve, Gjykata e Posaçme vendosi që të mos e dërgojë çështjen për gjykim në themel, por ta kthejë përsëri te SPAK-u për hetime të mëtejshme, duke i caktuar këtij të fundit afat deri në datën 30 tetor dhe duke i dhënë detyra për veprime shtesë.
Ndërkohë, Ilir Beqaj vazhdon të jetë i përfshirë edhe në një tjetër proces gjyqësor të zakonshëm, për dosjen e sterilizimit, ku i është caktuar masa e detyrimit me paraqitje.

