Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i është përgjigjur Top Channel lidhur me rregulloren e re të brendshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila hyri në fuqi më 1 shtator 2026. Në e-mail dërguar gazetares Anila Hoxha, delegacioni thotë se po monitoron situatën dhe është në dijeni të rregullores për sigurinë, rendin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e GJKKO-së, e cila merr parasysh karakteristikat organizative, operacionale dhe të sigurisë që lidhen me gjykatën dhe proceset e saj gjyqësore.
BE-ja deklaron se është e gatshme të ofrojë ekspertizë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik, për të mbështetur gjetjen e një ekuilibri midis masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane. Sipas përgjigjes, Bashkimi Evropian do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ndërkaq, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, njoftoi në një bisedë telefonike me gazetaren Hoxha se të martën në orën 12 në Tiranë do të mbahet një mbledhje urgjente për kufizimet që u bëhen avokatëve nga kjo rregullore, dhe nga ajo mbledhje pritet të dalin vendimmarrje. Një burim pranë Këshillit të Përgjithshëm tha se “nuk përjashtohet mundësia që avokatët të shkojnë drejt bojkotit jo vetëm të gjykimeve në themel, por edhe të masave të sigurimit personal”, reagim që shënohet si drastik në rast se ndodh.
Grupi “Safe Journalist” ka reaguar publikisht duke kërkuar rishikimin e rregullores, me arsyetimin se ajo cënon punën e gazetarëve dhe të medias. Top Channel firmos si burim i lajmit.

