Russell Westbrook ka vendosur të tërhiqet nga basketbolli profesionist, pas 18 sezonesh në NBA. Njoftimi u bë nga vetë ai nëpërmjet një videoje simbolike, ku shfaqet duke kaluar nëpër një “muze” me kujtime nga karriera e tij, duke rikthyer momentet kryesore të rrugëtimit të tij dhe shoqëuar nga mesazhi: “Ndonjëherë nuk e kupton që e ke parë fundin, kur ai tashmë ka ardhur. Duhej të ishe aty. Dhe tani ka mbaruar.”
Westbrook ishte një nga figurat më të diskutueshme të gjeneratës së tij: për disa tifozë një simbol energjie dhe pasioni, për të tjerë një lojtar që shpesh kritikohej për stilin e lojës dhe zgjedhjet në parket. Karriera e tij mori hov te Oklahoma City Thunder, ku u rrit krah për krah me Kevin Durant dhe më pas u bë lideri kryesor i skuadrës pas largimit të Durant. Ai u dallua për intensitetin, atletizmin dhe mënyrën agresive të lojës, por mbi të gjitha për rekordet e tij statistikore.
Një nga kontributet më të mëdha të Westbrook në NBA ishte transformimi i perceptimit për triple-double; ai u bë lojtari me më shumë triple-double në histori të kampionatit dhe një prej të paktëve që mbylli një sezon me mesatare triple-double. Në vitin 2017 fitoi çmimin MVP të NBA-së; gjatë karrierës u përzgjodh 9 herë në All-Star dhe mori 9 përzgjedhje në ekipet All-NBA. Ai gjithashtu përfaqësoi Shtetet e Bashkuara dhe fitoi medaljen e artë olimpike.
Megjithatë, karriera e tij nuk ishte pa kritika: në vitet e fundit u diskutuan përqindjet e gjuajtjeve, paraqitjet në fazën play-off dhe lëvizjet mes disa skuadrave. Tekstet e njoftimit theksojnë se këto kritika nuk ndryshojnë trashëgiminë e tij. Ajo që e bëri Westbrook të veçantë, sipas përshkrimit, ishte se ai gjithmonë luajti sipas mënyrës së tij — nuk përpiqej të përshtatej me pritshmëritë e të tjerëve, qoftë në stilin e lojës, festimet apo mënyrën e të shprehurit.
Tërheqja e Westbrook shënon, siç thuhet, fundin e një epoke në NBA; pas 18 vitesh, rekordesh, kritikash dhe momenteve historike, ai largohet nga parketi me mesazhin që përmbledh karrierën: “Duhej të ishe aty. Dhe tani ka mbaruar.”

