Dani Olmo dhuron një pjesë të pagës së tij bruto vjetore për familjet e Vukovar, një qytet kroat i prek ur nga lufta e Ballkanit. Futbollisti i Barcelonës dhe i përfaqësueses spanjolle ndërmori këtë veprim për të falënderuar Kroacinë për gjithçka që i dha gjatë viteve kur u formua si futbollist te Dinamo e Zagrebit. Nismën e nisi gjatë kohës te Leipzig dhe tani e vijon te Barcelona.
Andy Bara, agjent që punon me Olmon së bashku me përfaqësuesin e tij Juanma Lopez, shpjegoi në një podcast se Dani Olmo jep 2% të pagës së tij, ndërsa sipas organizatës Common Goal shifra është 1%. Vetë Olmo konfirmoi donacionin në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së Nations League mes Kroacisë dhe Spanjës. Ai u citua duke thënë: “Nuk e dija që do të dilte në dritë… kur u largova ndihesha në borxh me Kroacinë dhe doja t’ia ktheja me diçka, kështu që vendosëm të bëjmë këtë donacion në favor të familjeve të Vukovar. Ndihesha borxhli dhe besova se kjo ishte ideja më e mirë.”
Pas njoftimit, media lokale përgëzoi gjestin e futbollistit. Donacioni ndahet edhe me qytete të tjera të prekura nga lufta, përfshirë Slavinski Brod. Olmo tha gjithashtu: “Kam qenë atje me djemtë dhe luajtëm pak këtë ditë… bëmë disa aktivitete sportive. E ndjeja që duhet t’i jepja diçka Kroacisë dhe mendova se të veproja përmes ‘Common Goal’ ishte mënyra më e mirë.”
Common Goal, shoqata përmes së cilës Olmo po bën donacionin, është krijuar nga ish-futbollisti spanjoll Juan Mata. Organizata bashkëpunon me futbollistë të ndryshëm dhe mbështet projekte në më shumë se 100 vende për të përmirësuar jetën e miliona të rinjve, me objektiv luftën kundër pabarazisë sociale.

