Trupi i një gruaje skoceze u gjet brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në lagjen Kypseli të Athinës, rast që nxiti hapjen e një hetimi nga autoritetet greke në bashkëpunim me ato britanike. Policia e Skocisë konfirmoi bashkëpunimin me autoritetet greke, ndërsa trupi ishte zbuluar muajin e kaluar nga një burrë i pastrehë.
Sipas transmetuesit shtetëror grek ERT, viktima dyshohet të jetë Elisabeth-Jane Ross, 38 vjeçe, e cila besohet se kishte udhëtuar nga Qipro drejt Greqisë muajin e kaluar. Hetuesit vlerësuan se ajo kishte ndërruar jetë pesë deri në shtatë ditë para se të gjendej. Policia greke njoftoi se identifikimi i trupit si i një shtetaseje britanike u mbështet në përputhjen e gjurmëve të gishtërinjve me të dhënat e Interpolit për një grua të lindur në vitin 1988. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Autoritetet greke theksuan se shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende dhe se priten rezultatet e analizave mjeko-ligjore. Gjithashtu, policia po pret informacione shtesë nga autoritetet britanike lidhur me identifikimin dhe lëvizjet e viktimës. Një zëdhënës i policisë greke deklaroi se nga autoritetet britanike janë kërkuar detaje të mëtejshme në lidhje me kohën kur ajo mbërriti në Greqi dhe me kë udhëtoi, dhe shtoi se nuk mund të jepen më shumë informacione në këtë fazë, pasi hetimet janë ende në zhvillim.
Hetuesit kanë në fokus verifikimin e identitetit dhe përcaktimin e kronologjisë së udhëtimit dhe qëndrimit të viktimës para se të lokalizohej trupi. Autoritetet greke dhe ato britanike vazhdojnë shkëmbimin e informacionit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të mësuar më shumë rreth lëvizjeve të dyshuara të gruas para vdekjes. (Burimi: Top Channel)

