Një automjet fuoristradë, që ishte raportuar i vjedhur më parë, është gjetur i djegur brenda një tuneli të vjetër ushtarak në zonën e Cerkovinës. Ngjarja u konstatuar mbrëmjen e së hënës rreth orës 23:00, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cerkovinën me fshatrat përreth, sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel, Mikel Marsi.
Pas alarmit për zjarr, në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve. Në vend u paraqitën gjithashtu forcat e Policisë dhe grupi hetimor. Nga verifikimet, përfshirë kontrollin e numrit të shasisë, rezultoi se automjeti ishte raportuar i vjedhur disa kohë më parë në fshatin Panaja.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se policia po heton edhe pistën nëse automjeti mund të jetë përdorur për veprimtari të paligjshme para se të përfundonte i fshehur në tunelin e vjetër ushtarak. Automjeti ndodhej në një zonë të izoluar dhe në një rrugë të paasfaltuar, çka ka bërë që prania e tij të mos konstatohej më herët nga banorët e zonës.
Policia ka nisur marrjen dhe administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që kanë lënë automjetin në tunel dhe përcaktimin e itinerarit të tij. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar se kur është sjellë automjeti në këtë zonë dhe për çfarë qëllimi mund të jetë përdorur.
Si pasojë e djegies së automjetit, flakët përfshinë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës për të frenuar përhapjen e zjarrit. Hetimet dhe veprimet e policisë në vendngjarje vazhdojnë, ndërkohë që priten rezultate nga analizat dhe pamjet e sigurisë për të saktësuar rrjedhën e ngjarjes dhe identitetin e personave të përfshirë.

