Egnatia mbajti të gjallë shpresën për kualifikimin në turin e tretë të Conference League duke barazuar 3-3 me Celjen në ndeshjen e parë të çiftit, zhvilluar në Rrogozhinë. Kampionët e Shqipërisë ofruan një përballje spektakolare me gjashtë gola dhe treguan karakter përballë një kundërshtari me përvojë europiane.
Skuadra e trajnerit Nevil Dede kaloi e para në avantazh në minutën e 7-të, kur goditja e Eneo Bitrit u devijua nga Daniel dhe përfundoi në rrjetë. Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin vendas, Kvesic barazoi për Celjen në minutën e parë të shtesës.
Në pjesën e dytë, sllovenët kaluan sërish përpara me golin e Kucys në minutën e 54-t, por reagimi i Egnatias ishte i shpejtë: vetëm katër minuta më pas, Fernando realizoi një supergol për të rikthyer baraspeshën. Celje mori përsëri avantazhin në minutën e 66-të me golin e dytë personal të Kvesic, por Egnatia nuk u dorëzua; në minutën e 78-të, Diabate shënoi me një goditje të saktë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-3.
Pas këtij barazimi, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila është caktuar për më 28 korrik në Slloveni, duke nisur nga ora 20:15. Egnatia do të kërkojë të bëjë surprizën dhe të sigurojë një vend në turin e tretë të Conference League.

