“Top Story” trajtoi mbrëmjen e sotme protestën jopolitike të qytetarëve, që vijon prej 19 ditësh. Në emision foli Ermali Hasimja, i cili vlerësoi se protesta ndodhet “me shumë gjasa në një moment pjekjeje” dhe se ka arritur maksimumin e pjesëmarrjes së saj. Ai bëri një vlerësim të përafërt se, duke mbledhur të gjithë pjesëmarrësit, mund të jenë rreth 70 mijë veta të ndryshëm. Sipas tij, në këtë fazë protesta ka nevojë për një strategji dhe një organizim më të qartë; nuk është e qartë nëse iniciatorët janë një grup apo disa grupe të ndryshme, pasi ekzistojnë mbivendosje. Hasimja theksoi se avantazhi i protestës është se përfaqësimi nuk ngurtësohet te disa individë ose grupe, dhe paralajmëroi se në momentin që protesta “mund të kalojë në një përfaqësi”, ajo mund të organizohet por jo të përfaqësohet. Ai shtoi se përderisa protesta po funksionon edhe pa dakordësi të plotë mes pjesëmarrësve, brenda saj ka edhe demokratë që nuk pajtohen me thirrjen “Rama n’burg, Berisha n’burg”, por që kanë versionin e tyre “Rama n’burg, Belinda n’burg” dhe megjithatë marrin pjesë. Përfundimisht, Hasimja tha se protestës i duhet të mendojë dhe të reflektojë.
Flogert Muça shprehu shqetësimin se protesta rrezikon të bjerë në banalitet nëse nuk e merr përgjegjësinë një segment intelektualësh. Ai paralajmëroi rrezikun e një “sindromë Tik Tok-u”, duke shpjeguar se nëse lëvizja kontrollohet nga dinamika e rrjeteve sociale — ku njerëzit ndjekin një lider si Berisha dhe reagojnë në formë të menjëhershme pasi njëri thërret — kjo mund të “vrasë ëndrrën”. Muça u shpreh i zhgënjyer nga imazhi i disa pjesëmarrësve që kishin shkuar në Rinas, të cilët sipas tij kishin pirë birra dhe bërtisnin në Tik Tok; kjo përbënte për të një zhgënjim, pasi kishte pasur një imazh të frymës europiane.

