Deputeti Bekim Qoku, bashkë me Adnan Azizin nga koalicioni i partive shqiptare në pushtet “VLEN” dhe zyrtarin e lartë Hasim Murtezani, u ndaluan për rreth një orë në pikën kufitare të Qafë-Thanës, sipas raportimit. Pas këtij rasti ka reaguar gazetari dhe analisti nga Kosova, Berat Buzhala.
Buzhala, me tone herë ironike e herë kritikuese, thotë se nëse do të ishte ai në doganë nuk do t’i kishte lejuar të kalonin, duke akuzuar Qokun si “bashkëpunetor” të BIA’së, shërbimit sekret serb, dhe të Aleksandar Vuçiçit. Ai shpreh habi dhe kritika për faktin që një delegacion që, sipas tij, “e ndan shtratin me agjentin e BIA-s serbe, Ivan Stoilkovic”, është nisur për të protestuar në Tiranë kundër Edi Ramës. Buzhala thotë: “Unë nuk i kisha lënë të hynin fare. Qoku është aktiv në rrjetet sociale pro protestës… dhe të thuash po shkoj të protestoj në Tiranë? Për çfarë? Për Zvërnecin? Për demokracinë?!”
Ai akuzon qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ku sipas tij janë “njerëzit e Albinit”, se ndodhet “në luftë me Bullgarinë, në aleancë me Serbinë”, dhe vë në dukje se Shqipëria, për të cilën këta po shkojnë të protestojnë, e ka tejkaluar Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në integrim europian. Buzhala pyet retorikisht si është e mundur që, sipas tij, “qeveria e Kosovës të ketë aleat qeverinë e RMV e cila është aleat i Serbisë dhe është kundërshtar i Bullgarisë edhe i Shqipërisë?” dhe kritikon pjesëmarrjen e disa individëve në protesta në Tiranë, duke i lidhur ata me njerëz të BIA-s.
Sipas tij, “pika kryesore e BIA-s për destabilizimin e Maqedonisë ka qenë Stoilkovic”, ndërsa vëren se sot Qoku dhe të tjerë nuk e shohin këtë dhe përsëri vendosin të protestojnë për “mbrojtjen e demokracisë” në Tiranë. Në një shënim të bashkangjitur me një videomesazh, Buzhala shkruan se “Zëvendëskryeministri i Qokeve të Albin Kurtit, Ivan Stoilkovic, është bashkëpunëtor i BIA’s dhe Vuçiçit, kurse Qoket e Kurtit nuk i pengon shefi i tyre serb, por Edi Rama.”

