Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi në samitin e G7 që vendet anëtare të firmosin një dokument për përballimin e pandemive, një dokument që Shqipëria e kishte nënshkruar më herët, ndërsa vende të tjera nuk e kishin firmosur. Pyetja e ngritur është nëse jemi duke u përgatitur për një pandemi të mundshme.
Ilir Alimehmeti vë në dukje rëndësinë e ngritjes së laboratorëve të fuqishëm për identifikimin e hershëm të patogjenëve: “Pika të rëndësishme janë ngritja e laboratorëve të fuqishëm për identifikimin sa më parë. Nuk dihet që po vjen një pandemi, por gjithmonë duhet të jemi gati. Është si puna e luftës, nuk jemi në luftë, por ushtrinë e mbajmë të mobilizuar”. Ai thekson po ashtu ndjesinë e urgjencës që shfaq OBSH-ja për firmosjen e dokumentit, duke lidhur shqetësimin me ndryshimet e mëdha në botën globale: “Ka një ndjesi urgjence për vetë faktin sepse bota sot është globale, ka ndryshuar përdorimi i tokës. Çdo ditë shumë avionë lëvizin miliona njerëz, ndryshimet klimatike”.
Dokumenti i propozuar nga OBSH synon të garantojë barazinë në aksesin në medikamente, informacion, teste dhe laboratorë për vendet e varfra, duke theksuar edhe përgjegjësinë dhe sigurinë bioteknike të këtyre vendeve. Kjo nismë synon të adresojë jo vetëm shpërndarjen e burimeve, por edhe standardet e sigurisë në përdorimin e teknologjive bioteknike.
Afati për mbylljen e negociatave është përcaktuar më 17 korrik, dhe në Gjenevë do të zhvillohet një mbledhje e grupit negociator të shteteve anëtare të OBSH-së. Organizata thekson se nuk merr vendime ligjore, por funksionon si organ rekomandues, duke udhëzuar qeveritë e shteteve anëtare se si të menaxhojnë situata që lidhen me shëndetin e popullatës.

