Rovena Zoto (Bozo) është zyrtarisht kandidate e dytë në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi ka dorëzuar kërkesë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Emrin e saj si të përfolur e kishte raportuar më parë gazetarja Anila Hoxha. Një kandidat tjetër që kohët e fundit dorëzoi kërkesë për të marrë pjesë në garë është prokurori i posaçëm i SPAK, Adnan Xholi.
Zoto ushtron aktualisht detyrën si prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo u emërua prokurore në vitin 2010 pasi përfundoi Shkollën e Magjistraturës. Gjatë mbi 15 viteve të karrierës së saj, ka punuar në Prokuroritë e Lushnjës, Fierit dhe Tiranës, duke kryer hetime në fusha të ndryshme të drejtësisë penale.
Në fillimet e karrierës në Prokurorinë e Tiranës, Zoto ka punuar në seksionet kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe kundër Trafiqeve të Paligjshme. Në Prokurorinë e Lushnjës ajo është marrë me hetime të çështjeve penale të fushave të ndryshme, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të punës e ka përqendruar te krimi ekonomiko-financiar, pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, hetimet pasurore dhe vepra financiare.
Prej vitit 2021 Zoto është prokurore në Prokurorinë e Tiranës, ku fillimisht u përfshi në Seksionin për Narkotikët, Trafiqet dhe Krimet e Rënda ndaj Jetës, ndërsa më pas ka punuar në Seksionin e Posaçëm. Që nga marsi 2026 ajo drejton Seksionin për Drejtësinë Penale për të Miturit pranë Prokurorisë së Tiranës.
Gjatë karrierës së saj, Zoto ka hetuar kryesisht çështje që lidhen me krimet financiare dhe hetimet pasurore. Një nga rastet e fundit që ka hetuar është çështja lidhur me Granit Pepnikën dhe aktivitetin e call center-ave.

