Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Ai po hetohet nën dyshimet për pastrim parash në bashkëpunim me ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Në qendër të verifikimeve të SPAK-ut janë dy vila, njëra në Dhërmi dhe tjetra në Palasë, të cilat SPAK dyshon se janë në pronësi të Ballukut, por të fshehura në emër të Igli Tares.
Balluku s’mund ta regjistronte vilën në emër të saj dhe për ta fshehur pasurinë, SPAK thotë se ka përdorur ish futbollistin Igli Tare dhe një vartëse të saj në Albcontrol, shefen e kabinetit Joana Bushi. Sipas prokurorëve, Igli Tare është bërë pronar fiktiv i vilës përmes një kontrate të lidhur më 5 dhjetor 2018.
Në kuadër të të njëjtave hetime, në prokurorinë e posaçme është thirrur edhe vëllai i Igli Tares, Agron Tare.

