Autoritetet franceze shpëtuan 157 persona të enjten, të cilët po përpiqeshin të kalonin Kanalin Anglez dhe Detin e Veriut me varka të vogla drejt Britanisë së Madhe, njoftuan mediat franceze. Në orët e para të mëngjesit autoritetet portuale u njoftuan për një grup të madh personash të mbledhur në një plazh pranë Visan, në bregdetin verior të Francës. Sipas autoritetit detar Premar, tre persona u shpëtuan nga ekipet e emergjencës pasi kishin zbritur vetë në Calais, rreth 20 kilometra larg vendit të nisjes.
Një tjetër tentativë për kalim, nga plazhi i Portel më në jug, kërkoi angazhimin e forcave të shumta të sigurisë; tetë persona që ndodheshin në vështirësi u shpëtuan nga shërbimet zjarrfikëse ndërsa ishin ende në breg. Pak më vonë, 70 persona që ndodheshin në të njëjtën varkë u shpëtuan dhe u kthyen në Calais. Ndërkohë, një tjetër varkë u pikas në zonën Ecou, pranë Boulogne-sur-Mer; me ndërhyrjen e autoriteteve portuale u shpëtuan 67 pasagjerët e saj. Në dy varka të tjera më të vogla u nxorën në breg edhe nëntë emigrantë të tjerë.
Ngjarjet përfshijnë ndërhyrje të ndryshme të ekipeve të emergjencës, zjarrfikësve dhe autoriteteve portuale për të evituar humbje jete gjatë përpjekjeve për kalim. Pas muajsh negociatash, Franca dhe Britania e Madhe arritën në prill një marrëveshje të re trevjeçare për të frenuar kalimet e paligjshme në Kanalin Anglez; marrëveshja parashikon rritjen graduale të kontributit financiar të Londrës për përforcimin e masave të sigurisë.
Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, bazuar në të dhënat zyrtare franceze dhe britanike, të paktën 29 emigrantë humbën jetën gjatë vitit 2025 në përpjekje për të kaluar Kanalin Anglez. Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar të paktën tetë viktima. Top Channel.

