Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbledhë të hënën kabinetin në një takim krize ndërsa zjarret masive në jugperëndim të Francës po i afrohen qytetit të Bordeaux, me rreth 850 mijë banorë. Flakët ndodhen rreth 15 kilometra nga qyteti, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, mund të përkeqësojë situatën. Deri më tani, mbi 220 mijë persona janë evakuuar nga zonat përreth Bordeaux, por autoritetet nuk kanë urdhëruar ende evakuimin e qytetit. Ministri i Brendshëm tha se zjarri po lëviz në mënyrë të paparashikueshme dhe se situata mbetet “shumë e pafavorshme”.
Federata Kombëtare e Zjarrfikësve raporton se zjarri në rajonin e Girondës ka krijuar fenomenin e rrallë të quajtur “pyrocumulonimbus”, një stuhi gjigante e krijuar nga vetë flakët që gjeneron erëra dhe vetëtima, duke vështirësuar kontrollin. Zëdhënësi i zjarrfikësve, Eric Brocard, theksoi se “Fronti i zjarrit ndryshon vazhdimisht. Nuk mund ta luftojmë drejtpërdrejt. Është si beteja e Davidit kundër Goliathit”.
Që nga fillimi i vitit, në Francë janë djegur rreth 98 mijë hektarë sipërfaqe, ndërsa vetëm në rajonin jugperëndimor janë shkrumbuar mbi 42 mijë hektarë, në një nga zjarret më të mëdha pyjore që ka përjetuar vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku një zjarr i ri pranë Valencias ka detyruar evakuimin e rreth 15 mijë banorëve. Në total, mbi 90 mijë persona janë larguar nga zonat përreth Madridit dhe Ávilës. Autoritetet spanjolle raportojnë se rreth 77 mijë hektarë tokë janë përfshirë nga flakët këtë vit. Kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se vendin e presin “orë të vështira” dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh në përballimin e emergjencës klimatike.

