Këngëtarja e “Pussycat Dolls”, Nicole Scherzinger, pësoi djegie të rënda në njërën këmbë pasi mbi të u derdh ujë i valë më 26 shtator në Dyseldorf të Gjermanisë, vetëm një orë para se të ngjitej në skenë. 48-vjeçarja publikoi në rrjetet sociale fotografi që tregojnë flluskat dhe dëmtimet, si dhe imazhe glamuroze të përgatitjeve për performancën ndërsa rregullonte flokët dhe grimin për koncertin në Dublin. Ajo shoqëroi postimet me fjalët: “Ajo që shohin ata, kundrejt asaj që nuk shohin…” dhe shkroi pas koncertit në Dyseldorf: “Nuk ka asgjë si të të bjerë ujë i valë mbi këmbë një orë para performancës – por shfaqja duhet të vazhdojë”. Pavarësisht dhimbjeve dhe flluskave, Scherzinger vendosi të vazhdojë turneun evropian dhe falënderoi fansat në Dyseldorf për mbështetjen, duke premtuar se do të rikthehej së shpejti në Amsterdam.
Pas postimit, fansat dhe miqtë i dërguan mesazhe mbështetëse; mes tyre ishte edhe këngëtarja Gloria Gaynor që i shkroi: “Ti je një luftëtare!”. Scherzinger ka ndarë përditësime të mëtejshme mbi gjendjen e saj ndërkohë që vijon datat evropiane të turneut.
Rikthimi i “Pussycat Dolls” në skenë u njoftua në mars, me këngën e parë të re pas gjashtë vitesh, “Club Song”, të prodhuar dhe bashkëshkruar nga Mike Sabath. Grupi kishte planifikuar një turne me 53 data në Britani, Evropë dhe Amerikën e Veriut, por pjesa e turneut në SHBA dhe Kanada u anulua për shkak të shitjeve të dobëta të biletave. Organizatorët tentuan të ulën çmimet e biletave, por në fund u vendos anulimi i pjesës më të madhe të koncerteve në Amerikën e Veriut. Në një deklaratë, grupi e përshkroi vendimin si “të vështirë dhe zemërthyes” dhe theksoi se koncertet në Britani dhe Evropë do të vazhdonin sipas planit; turneu evropian nisi në Kopenhagë në shtator dhe vijoi me koncerte në Paris, Varshavë dhe qytete të tjera.
Rikthimi i grupit është shoqëruar me polemika, pasi tre anëtare të hershme — Carmit Bachar, Jessica Sutta dhe Melody Thornton — nuk janë pjesë e formacionit të ri. Carmit dhe Jessica thanë se u befasuan nga rikthimi dhe se nuk janë pyetur për t’u bashkuar; Jessica Sutta e ka cilësuar rikthimin si një përpjekje për të përfituar financiarisht nga emri i grupit.

