Një fotografi e Natalie Harp, e ulur pranë presidentit amerikan Donald Trump gjatë samitit në Filipine, u bë virale në rrjetet sociale. Asistentja ekzekutive 35-vjeçare shfaqej në sallën e takimit me një fustan blu, e ulur pranë disa prej figurave më të rëndësishme të administratës, çka ngriti pyetje për rolin dhe ndikimin e saj pranë presidentit.
Harp ishte pjesë e delegacionit amerikan në takimin e mbajtur të martën në Manila, i organizuar nga presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr. Në të njëjtën tryezë ndodheshin shefi i kabinetit Stephen Miller, zëvendësshefi i kabinetit Dan Scavino, sekretari i Tregtisë Hoëard Lutnick, sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Prania e një asistenteje ekzekutive në një takim me zyrtarë të tillë të lartë rivendosi vëmendjen te pozicioni i saj në rrethin e ngushtë të presidentit.
Që nga janari 2025, kur iu bashkua stafit të Shtëpisë së Bardhë, Harp është shfaqur shpesh krahu më krahu me Trumpin dhe konsiderohet një prej mbështetëseve të tij më të besueshme. Ajo ka fituar nofkën “printerja njerëzore” për shkak të zakonit për t’i përgatitur dhe printuar presidentit artikuj mediatikë që flasin pozitivisht për të. Përveç kësaj, Harp ndihmon Trumpin në publikimin e postimeve në platformën e tij Truth Social, duke qenë një nga personat përgjegjës për komunikimin e tij të përditshëm.
Sipas New York Times, ndikimi i Harp është dukshëm reflektuar edhe në organizimin e punës brenda Shtëpisë së Bardhë. Ajo i është caktuar një zyrë të re, më afër zyrës së presidentit sesa shumë këshilltarë të tjerë, dhe, sipas raportimeve, ka marrë përsipër filtrimin e personave që lejohen të kontaktojnë Trumpin në telefonin e tij celular. Këto detaje kanë shtuar interesin për figurën e 35-vjeçares, e cila, edhe pse nuk mban një post të lartë politik, duket se ka fituar akses të veçantë te presidenti amerikan.
