Mijëra studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të mbështetur edhe nga të rinj nga Kosova dhe Shqipëria, protestuan në Shkup për të kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje në mbrojtje të gjuhës shqipe, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Një moment i veçantë tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe rrjeteve sociale: në mes të turmës u shfaq një djalë i vogël i veshur me jelek tradicional shqiptar, që mbante një pankartë me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!!”. Mesazhi i tij u shpërnda shpejt në rrjetet sociale dhe u kthye në simbol emocional të protestës. I pyetur nga mediat, vogëlushi deklaroi shkurt: “Mos ma mohoni gjuhën shqipe”.
Protestuesit nisën marshimin nga Ura e Gurit me thirrje si “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Gjuha shqipe amanet”. Ata kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov. Sipas organizatorëve, përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe nuk duhet të kufizohet në sistemin arsimor apo juridik.
Tubimi u shoqërua me tensione; raportohet se policia ka ndaluar tre studentë gjatë protestës. Po ashtu, studentë të ardhur nga Tirana thanë se janë përballur me kontrolle dhe pengesa në kufi apo në hyrje të Shkupit. Protesta, pankartat dhe thirrjet e pjesëmarrësve pasqyruan kërkesën për zgjerim të përdorimit të gjuhës shqipe në procedurat e drejtësisë dhe në provimet e fushës juridike.

