Një foshnjë e porsalindur vdiq disa orë pas lindjes në Itali, dhe Prokuroria e Perugia-s ka nisur hetime ndaj 22 punonjësve shëndetësorë të spitaleve të Folinjos dhe Peruxhias. Foshnja, emërtuar Pietro nga prindërit, lindi më 16 shtator në spitalin e Folinjos pas një lindjeje që, sipas të dhënave paraprake, u shoqërua me komplikacione dhe përfundoi me përdorimin e vakumit obstetrikal. Në orët pas lindjes gjendja e tij u përkeqësua dhe u vendos transferimi urgent drejt repartit të terapisë intensive në spitalin Santa Maria della Misericordia në Perugia.
I porsalinduri mbërriti në Perugia në gjendje shumë të rëndë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve specialistë, nuk mundi të mbijetonte. Pas vdekjes, prindërit depozituan kallëzim në polici, duke kërkuar zbardhjen e shkaqeve dhe verifikimin nëse procedurat mjekësore ishin ndjekur si duhet. Si pjesë e hetimit, prokuroria ka sekuestruar kartelat mjekësore të të dy spitaleve dhe ka identifikuar 22 mjekë dhe infermierë që kanë marrë pjesë në kujdesin ndaj nënës 32-vjeçare dhe foshnjës.
Punonjësit shëndetësorë janë regjistruar nën hetim me dyshimin e vrasjes nga pakujdesia, megjithatë deri tani nuk është përcaktuar asnjë përgjegjësi individuale. Hetimi pritet të përfshijë të gjithë procesin e asistencës mjekësore: menaxhimin e lindjes në Folinjo, gjendjen e foshnjës në orët pas lindjes, vlerësimet klinike të kryera, vendimin për transferimin në Peruxhia, vetë transportin dhe trajtimin në terapinë intensive neonatale.
Ekspertiza e dokumentacionit mjekësor dhe autopsia janë parashikuar si hapa thelbësorë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Vetëm pas përfundimit të këtyre verifikimeve do të mund të sqarohet nëse bëhej fjalë për komplikacione të pashmangshme apo nëse ka pasur përgjegjësi profesionale gjatë kujdesit mjekësor.

