Kupa e Botës 2026, edicioni i parë me 48 skuadra, ka ndryshuar rrënjësisht formatin e garës, duke shtuar një raund shtesë eliminimi. Me zgjerimin e turneut, FIFA ka hequr kalimin e drejtpërdrejtë në 1/8-at e finaleve dhe ka futur gjashtëmbëdhjetëshat, një raund prej 32 ekipeve që do të nisë pas përfundimit të fazës së grupeve. Nga 48 kombëtaret që nisin turneun, 32 do të vazhdojnë në fazën e eliminimit direkt, ndërsa 16 skuadra do të eliminohen pas grupeve.
Sistemi i kualifikimit nga grupet parashikon që 12 fitueset e grupeve dhe 12 vendet e dyta kalojnë automatikisht, ndërsa 8 ekipet më të mira të vendeve të treta zgjidhen përmes një renditjeje të veçantë globale midis 12 grupeve në total. Në anën tjetër, do të kthehen në shtëpi 12 vendet e fundit të grupeve dhe 4 ekipe të treta me rezultatet më të dobëta.
Për shkak të numrit të madh të grupeve dhe vetëm tre ndeshjeve për çdo skuadër, rreziku i barazimit në pikë është i lartë, ndaj FIFA ka vendosur një hierarki të rreptë kriteresh për zgjidhjen e barazimeve. Si hap i parë konsiderohen rezultatet direkte mes skuadrave të barabarta: pikët, diferenca e golave dhe golat e shënuar në përballjet direkte. Nëse barazimi vazhdon, shqyrtohet diferenca e përgjithshme e golave në grup, numri i golave të shënuar dhe renditja e “Fair Play” bazuar në kartonët. Në rast ekstrem, vendimin përfundimtar do ta japë renditja e FIFA-s.
Për kategorinë e “të tretave më të mira” do të aplikohet një klasifikim i veçantë, ku do të vlerësohen pikët e marra, diferenca e golave dhe elementet e fair-play për të përcaktuar cilat tetë skuadra kalojnë më tej. Turneu tashmë ka hyrë në fazën vendimtare: pas eliminimit të emrave të mëdhenj si Uruguai dhe Turqia, tensioni është në kulm dhe çdo gol i shënuar mund të jetë vendimtar për vazhdimin e ëndrrës botërore.
