Një përplasje e madhe po zhvillohet në majat e futbollit botëror, teksa një aleancë e disa konfederatave të fuqishme po përgatit skenarë për t’i bërë presion presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Pas kundërshtimeve ndaj idesë së tij për përfshirjen e kapitalit privat në strukturën e FIFA-s, UEFA, AFC dhe CONCACAF po shqyrtojnë masa që mund të çojnë në një krizë brenda organizatës.
Mes skenarëve të diskutuar është bojkotimi i aktiviteteve të FIFA-s, përfshirë refuzimin për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të FIFA-s. Një ide më radikale që po konsiderohet është krijimi i turneve paralele ndërkombëtare jashtë strukturës aktuale të FIFA-s. Kundërshtarët e Infantinos mendojnë se ai nuk duhet të kërkojë një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 dhe janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet politike për ta larguar nga drejtimi i organizatës.
Një tjetër skenar që po qarkullon është paraqitja e një mocioni mosbesimi ndaj Infantinos. Për nisjen e këtij procesi nevojitet mbështetja e një të pestës së federatave anëtare, ndërsa për miratimin e tij kërkohen 106 vota nga 211 federatat që përbëjnë FIFA-n. Sipas raportimeve, UEFA, AFC dhe CONCACAF së bashku kanë 143 vota, gjë që përbën një kërcënim serioz për presidentin aktual. Nëse do të rrëzohej nëpërmjet këtij votimi, Infantino do të ishte presidenti i parë në historinë e FIFA-s që largohet me këtë metodë.
Kriza ka nxitur edhe diskutime mbi zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Si kandidatë potencialë përmenden Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s dhe një prej kritikëve të Infantinos, si dhe emrat e Arsène Wenger dhe Victor Montagliani. Deri kohët e fundit një mandat tjetër për Infantinon konsiderohej pothuajse i sigurt, por përplasja me konfederatat kryesore duket se ka ndryshuar situatën.
Nëse konflikti do të përshkallëzohet, futbolli botëror mund të përballet me një nga betejat më të mëdha për pushtet që ka parë ndonjëherë. (Top Channel)

