Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, të pranishëm në sallë. Gjatë seancës Kryemadhi vijoi kundërshtimet ndaj akuzës, duke analizuar komunikimet dhe provat e përfshira në dosje. Në seancë ishte i pranishëm edhe prokurori Sotir Kllapi, sipas raportimit të Top Channel.
Kryemadhi pretendon se komunikimet e përdorura nga akuza janë shkëputur nga konteksti dhe nuk provojnë ndërhyrje apo favorizim ndaj kompanisë Unifi. Ajo kundërshtoi interpretimin e SPAK për mesazhe dhe email-e, duke theksuar se dokumentet nuk tregojnë urdhra politikë apo presion për favorizimin e Unifi dhe se po analizon dosjen faqe për faqe, ku sipas saj gjenden prova që hedhin poshtë akuzën. Në këtë kuadër ajo argumentoi se disa fragmente të nxjerra nga meshazhet janë të izoluara dhe nuk pasqyrojnë kontekstin e plotë të komunikimeve.
Në diskutim u përmendën konkretisht disa faqe të akuzës: në faqen 46 kryemadhi tha se një mesazh i përmendur nga akuza nuk përmban urdhër politik dhe se debati për atë komunikim ishte për kompetencat, jo për favorizim. Për mesazhin e datës 19 qershor ajo theksoi se pyetja në të ishte e paqartë për identitetin e personit të përmendur dhe pyeti nëse prokuroria kishte hetuar këtë çështje. Kryemadhi solli argumentin se dokumentet mbështesin tezën se Ardian Shatku ndiqte vetë komunikimin me investitorët dhe se nuk ekziston asnjë mesazh që të kërkojë pagesa, kërcënime apo shkarkime.
Ajo nënvizoi se emaili dërguar Haxhinastos nuk përmban elemente ndërhyrjeje dhe se faqja 47 nuk provon asgjë, pasi pasqyron ndjekjen e një procedure administrative të Unifi. Për faqen 48, sipas saj, SPAK e lidh teorinë e përfitimit me përdorimin e një karte ekspres, por provat tregojnë përdorim ose tek Unifi ose tek Vodafone.
Gjatë seancës pati debat me gjykatën, e cila kërkoi që Kryemadhi të kufizonte diskutimin vetëm te faktet që lidhen me objektin e gjykimit dhe jo të përmendte çdo komunikim personal. Kryemadhi deklaroi se do të sjellë kontekstin e emaileve dhe mesazheve që lidhen me hetimin dhe se, duke parë dosjen faqe për faqe, i rezulton prova të reja që sipas saj hedhin poshtë çështjen.

