Pas publikimit të kronikës së parë, një tjetër vajzë ka denoncuar në redaksi përvojën e saj me “Era Esthetic Academy”, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e zhvillimit të kurseve dhe pajisjen me certifikata. Ajo thotë se ndoqi kursin në shkurt të këtij viti, por ende nuk ka marrë një certifikatë të rregullt. Sipas saj, gjatë trajnimit nuk përfitoi njohuritë e duhura, ndërsa pagesën e kryeu në fillim, çka e konsideron gabim.
Vajza ka dorëzuar komunikime me përfaqësuesen e akademisë, Pranvera Sula, ku i thuhet të presë një njoftim nga ministria për certifikimin. Pas shumë ditësh pritjeje, nuk mori përgjigje konkrete. Kur kërkoi sërish informacion, pretendon se u përball me reagime të papërshtatshme dhe i u tha se i kishte shkaktuar “dëm nga suporti moral” në një periudhë personale të vështirë.
Pas rreth tre muajsh, u njoftua të paraqitej për të tërhequr certifikatën, por kur e pa dokumentin konstatoi parregullsi: datat e kursit ishin të pasakta, mungonte emri i babait dhe dokumenti nuk kishte referencë institucionale apo vulë përkatëse. Kur e kontaktoi sërish drejtuesen e akademisë, ajo, sipas kursantes, e etiketoi si “person me probleme mendore” dhe i kërkoi të mos telefonojë më, duke e akuzuar për nxjerrje të rastit në media.
Vajza iu drejtua edhe shoqatës “Bukuria Shqiptare Beli”, ku, sipas saj, i thanë se institucioni ishte në dijeni të rasteve të ngjashme dhe se nuk ka më bashkëpunim me akademinë. Në një telefonatë mes përfaqësueses së shoqatës dhe drejtueses së akademisë, kjo e fundit justifikoi mungesën e emrit të babait me arsyetimin se kursantja nuk kishte marrëdhënie të mira me të, ndërsa për datat deklaroi se nuk ishin dorëzuar materialet përkatëse. Shoqata mori përsipër korrigjimin e certifikatës dhe premtoi një dokument të ri me të dhënat e sakta.
Megjithatë, konflikti vijoi: vajza tregon se kur u kthye në ambientet e akademisë për të kërkuar një certifikatë të rregullt ose kthimin e parave, u përball me kërcënime të drejtpërdrejta. Përfaqësuesja e akademisë i është drejtuar me fjalët: “Ta fluturova kokën të thuash që nuk ke bërë kurs tek unë. Skizofrene”.

