Peter Poreçi, 13 vjeç, ndodhet prej ditësh në një repart ku trajtohen paciente gra me probleme të shëndetit mendor. Nëna e tij thotë se djali, i diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik, u dërgua në spital pas krizave të forta dhe se ajo është e vetmja që kujdeset për të. Ajo pretendon se fëmija mbahet kryesisht në observim, pa trajtimin e duhur, çka sipas saj po përkeqëson gjendjen e tij. Një tjetër shqetësim i ngritur nga nëna ka të bëjë me kushtet e dhomës, e cila, sipas saj, nuk ka tualet dhe djali detyrohet të kryejë nevojat personale në dhomë.
Për të verifikuar pretendimet, bashkëpunëtorja e emisionit Fiks Fare hyri në ambientet e repartit për të mësuar se cili mjek ndiqte rastin. Infermierja e orientoi te mjekja, ndërsa mjekja e rojes deklaroi se nuk e njihte rastin dhe se duhej t’i drejtoheshin mjekut primar. Pyetjet se kush e ndiqte 13-vjeçarin dhe çfarë trajtimi po merrte mbetën pa përgjigje. Gjatë largimit nga pavioni, bashkëpunëtorja dëgjoi gjithashtu komunikim fyes të stafit ndaj pacienteve.
Fiks Fare kërkoi shpjegime nga drejtimi i QSUT-së për vendimin që e bëri një 13-vjeçar me çrregullime të spektrit autik të qëndrojë në një repart me paciente gra, për trajtimin që po merr dhe për personin përgjegjës për kujdesin e tij. Gazetarët kërkuan përgjigje për dy ditë radhazi. Ditën e parë, pas rreth katër orësh pritje, u njoftua se do të dilnin mjeku që ndiqte rastin dhe shefi i pavionit; ditën e dytë, në vend të tyre doli përgjegjësi i cilësisë, i cili kërkoi që të lihej një kërkesë. Edhe pas kësaj, përgjigjet për pyetjet konkrete nuk erdhën. Kontaktet me drejtoreshën dhe me drejtimin e institucionit nuk sollën shpjegimet e kërkuara.
I vetmi që iu përgjigj gazetarëve ishte shefi i pavionit, i cili tha shkurt: “këto janë kushtet.” Kërkesat për sqarime lidhur me vendimin, trajtimin dhe përgjegjësinë për kujdesin e 13-vjeçarit mbeten pa përgjigje.

